Letërsia e Rilindjes (nga mesi i shekullit XIX deri në vitin 1912) shënon kalimin nga letërsia me subjekt fetar e karakter didaktik, në letërsinë e mirëfilltë artistike, me mision ringjalljen e atdhe-dashurisë nëpërmjet evokimit të së kaluarës të pasur me karaktere heroike dhe dashurisë për natyrën e bukurinë e virtyteve shqiptare.
Ndër figurat më të shquara përmendim Naim Frashërin, Ndre Mjedën, Asdrenin, si dhe shumë kolosë nga Diaspora: Jeronim de Rada, Zef Skiroi, A. Z. Cajupi, etj. Më pas, gjatë viteve ’20-’30 letërsia shqiptare pati një zhvillim të hovshëm përmes shkrimtarëve të talentuar, të edukurar në Universitete të rëndësishme të Evropës që sollën drejtime të reja në krijimtarinë letrare të kohës. Shkrimtarë të mëdhenj të letërsisë shqiptare, si: Fishta, Konica, Noli, Poradeci, Koliqi, Migjeni, Kuteli, shënuan kulmet më të larta të letërsisë shqiptare.